AKR-ja s’do të jetë patericë e askujt
Sot është mbajtur seanca e Kuvendit Komunal e Prishtinës. Pas raundit të tretë është zgjedhur kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina nga radhët e LDK-së. Në dy raundet e para ka dështuar zgjedhja e kryesuesit pasi që kandidati i propozuar nga LDK-ja ka dështuar të marrë shumicën e votave.
Në raundin e tretë kanë dalë nga salla gjashtë asamblistë të AAK-së dhe tre të AKR-së, ndërsa në sallë kanë mbetur 17 asamblistë të Vetëvendosjes të cilët kanë votuar kundër, ndërsa 14 asamblistët e LDK-së, nëntë të PDK-së dhe një asamblist i LB-së dhe një tjetër i Nismës kanë votuar për zgjedhjen e Kupinës kryesues.
Pas zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit Komunal nuk kanë munguar komentet e qytetarëve në rrjete sociale në adresë të AKR-së rreth bojkotimit të asamblistëve të saj për zgjedhjen e kryesuesit. Një ndër ta ishte Ragip Prapashtica, i cili në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar: “AKR-ja, e cila thirret si institucionaliste, dhe që me plot gojën thotë se kurrë nuk e bllokon formimin e institucioneve, u bë bashkë me AAK-në dhe tentuan ta bllokojnë zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Por, pavarësisht prej këtij veprimi jokorrekt dhe joparimor, prapë u zgjodh kryesuesi.
Urime kryesues Kupina! Urime LDK! Urime Prishtinë dhe qytetarë të Prishtinës!”, ka shkruar Prapashtica. E menjëhershme ka qenë kundërpërgjigjja e kryetarit të Degës së AKR-së në Prishtinë, Selim Pacolli, i cili i ka bërë me dije komentuesit se AKR-ja më nuk do të jetë patericë e askujt.
“Jo Ragip, s’ka më patericë! Ka vdekur ajo mesele, por ti s’e ke kuptuar ende. LDK-ja dhe të tjerët si ajo duhet ta dinë mirë që marrëveshjet duhet të zbatohen e jo të bëjnë përpjekje t’i ‘peshkojnë’ asamblistët në formë klandestine”, ka shkruar Pacolli.