Akreditohen të gjitha programet e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë
Të gjitha programet e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), tetë sosh, për të cilat është aplikuar për riakreditim në Agjencinë Kosovare të Akreditimit (AKA), kanë marrë përgjigje pozitive. Kjo është mirëpritur në UIBM, duke qenë se do të mund të pranohen studentë në të gjitha këto programe dhe të tjerat që kanë pasur akreditim.
Janë riakredituar pesë programe në nivelin baçelor: 1. Juridiku (3 vjet), Gjeologjia (5 vjet), Inxhinieri Ekonomike (3 vjet), Inxhinieri Mekanike (Makineri Prodhuese) (3 vjet), si dhe Materiale dhe Metalurgji (3 vjet), Ndërsa në programin master janë riakredituar tri programe: Materiale dhe Metalurgji (3 vjet), Hidrologji dhe Gjeologji Inxhinierike (3 vjet), si dhe Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore në nivelin master (5 vjet).
Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, ka përgëzuar bartësit dhe të gjitha grupet që kanë qenë pjesë e procesit të riakreditimit të këtyre programeve. “Është bërë një punë e jashtëzakonshme nga të gjitha njësitë akademike dhe grupet e përfshira në procesin e akreditimit të programeve, duke marrë përgjigje pozitive për të gjitha”, tha ajo.
Në konkursin e shpallur më 18 korrik 2024, është hapur aplikimi në programet që kishin akreditim duke përfshirë edhe ato që ishin riakredituar në ndërkohë, ndërsa së shpejti pritet të hapet konkursi edhe për programin: Materiale dhe Metalurgji, në nivelin baçelor. UIBM ofron programe atraktive për të rinjtë që duan të studiojnë, ofron kushte të jashtëzakonshme në një kampus modern.