Akreditohet Qendra për Studime Universitare e FSK-së
Këshilli Drejtues i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve (KD i AKK-së) ka nxjerrë vendim me rastin e procesit të validimit dhe akreditimit të Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK).
KD i AKK-së, në vendimin e lëshuar ka njoftuar se validohet dhe akreditohet Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës (QSU), me adresë Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, për periudhën trivjeçare me kualifikimin: “Nëntoger në Forcat e Armatosura, Niveli V sipas KKK me 120 kredi të AAP”.
Forca e Sigurisë e Kosovës në kuadër të mandatit të ri për ngritjen e kapaciteteve profesionale të edukimit ushtarak ka rishikuar dhe zhvilluar plan-programin e QSU-së, për fillimin e procesit të akreditimit bazuar në nenin 23, pika 6 e Ligjit nr. 06/L-123 për Forcën e Sigurisë së Kosovës, andaj si rezultat i një pune profesionale të KDS-së dhe QSU-së, është marrë vendim mbi akreditimin e profesionit të ushtarakut nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (KD i AKK).
/Epoka e re/