Aksident i rëndë në Deçan, një i vdekur dhe një i lënduar
Një person ka vdekur dhe një tjetër ka marrë lëndime të rënda trupore, pasi që janë rrotulluar me një kamion në Bjeshkën Pleqes të Komunës së Deçanit.
Sutki Mushkolaj, nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan ka bërë të ditur për Gazetën Nacionale se njëri nga personat ka vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa tjetri është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës.
“Njëri person ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri nuk është sjell në QKMF në Deçan, është nisur menjëherë për në Spitalin Rajonal të Pejës”, ka thënë Mushkolaj.
Ndërsa Komandanti i Stacionit Policor në Deçan, Faik Jahmurataj, ka bërë të ditur për Nacionale se aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:30.
“Stacioni policor i Deçanit rreth orës 19:30 e ka pranuar një informatë nga një qytetarë se ka ndodhur një aksident në Bjeshkët e Deçanit, saktësisht në Bjeshkën e Pleqës. Policia i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes. Aksidenti ka ndodhur me një kamion, ku vozitësi ka qenë duke ardhur nga bjeshka në drejtim të Deçanit”, ka thënë Jahmurataj.