Aksident në Ozdrim të Pejës, vdes një 8-vjeçare
Pasditen e sotme në rrugën magjistrale Pejë – Mitrovicë, saktësisht në fshatin Ozdrim, ka ndodhur një aksident trafiku. Si pasojë e aksidentit, një vajzë 8-vjeçare ka vdekur si dhe dy persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibra.
“Aksidenti ka ndodhur sot në orën 13:47 në magjistralen Mitrovicë – Pejë, në fshatin Ozdrim. Të përfshira kanë qenë dy automjete udhëtarësh. Si pasojë e aksidentit, tre persona kanë marrë lëndime të rënda dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Pejës. Rreth orës 15:10, një fëmijë i lindur në vitin 2012 ka ndërruar jetë në emergjencën e spitalit të Pejës”, ka treguar Ibra për “Express”.
Ibra ka shtuar se deri te aksidenti ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të shenjave të komunikacionit dhe mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.