Aksident në rrugën Lipjan – Prishtinë, vdes një person
Një aksident me fatalitet ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën “Arbën Xhaferi”, drejtimi Lipjan-Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha.
“Ju informoj se më datën 04.08.2024 rreth orës 06:30 në autostradën ‘Arbën Xhaferi’ në kilometrin e tretë, drejtimi Lipjan-Prishtinë është shkaktuar një aksident trafiku (vet-aksident) ku një veturë ka devijuar rrugën duke goditur fillimisht anësoren e autostradës dhe më pas duke përfunduar jashtë rrugës. Si pasojë e aksidentit nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë pasagjeri dhe lëndime të rënda trupore ka pësuar vozitësi i veturës, i cili është duke u trajtuar në QKUK në Prishtinë”, tha ai.
Hoxha pohoi se në vendngjarje kanë dal njësitet kompetente policore dhe ato të emergjencës.
“Njësia e Mjekësisë ligjore kane tërhequr kufomën, e cila me urdhër të prokurorit kujdestar dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha ai.
Për Telegrafin, Hoxha deklaroi se në 24 orët e kaluar janë evidentuar edhe dy aksidente tjera me fatalitet duke shtuar se kjo ” është tepër shqetësuese pasi në të dy rastet e raportuara kemi te bëjmë me vetaksidente, ku drejtuesit e automjeteve ose kanë humbur kontrollin mbi veturën ose kanë devijuar rrugën si rezultat i pakujdesisë, ku dyshohet edhe se ka ardhur deri tek pasojat fatale”.
“Sipas analizave të aksidenteve në trafik dhe shkaktareve të tyre ne gjashtëmujorin e pare (janar-qershor-2024), rreth 24 % te aksidenteve fatale të shkaktuara në rrugët tona janë vet-aksidente”, u shpreh ai.
Hoxha bëri apel për kujdes gjatë vozitjes.
“Andaj apelojmë tek të gjithë shoferët ne veçanti, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik që të jenë vigjilent dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë shenjat rrugore dhe dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuoj në zvogëlimin e aksidenteve fatale dhe humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë.
Policia e Kosovës, njësitet patrulluese të rendit dhe të trafikut, po vazhdojnë aktivitetet e shtuara në teren me qëllim të shtimit të sigurisë në trafik. Vendosja dhe mbajtja e një sigurie në trafik, kërkon angazhime të gjithmbarshme, andaj aktivitetet policore në drejtim të respektimit të rregullave, zbatim të ligjit dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj shkelësve të ligjit në trafikun rrugor, janë të vazhdueshme”.