Aksidentet ajrore
Shkruan: Tahir Ahmeti
Që nga fluturimet e para, aeroplanët dhe mjetet e tjera fluturuese kanë pësuar aksidente. Kjo për shkak të natyrës së fluturimit, ku, nëse ndodh një aksident mundësitë për manovrim janë shumë herë më të vogla se në tokë
Që nga fluturimet e para, aeroplanët dhe mjetet e tjera fluturuese kanë pësuar aksidente. Kjo për shkak të natyrës së fluturimit, ku, nëse ndodh një aksident mundësitë për manovrim janë shumë herë më të vogla se në tokë.
Për këtë arsye, mjetet e fluturimit po perfeksionohen gjithnjë e më shumë, në mënyrë që të limitohet mundësia e aksidenteve dhe pilotet po trajnohen gjithnjë e më shumë.
Pavarësisht kësaj, aksidentet ajrore vazhdojnë të ndodhin, edhe pse sipas statistikave fluturimi është forma më e sigurt e transportit, (raporti i viktimave është 0.23 përqind për një million fluturime).
Në fakt, arsyeja pse ndodhin rrallë dhe numri i madh i viktimave, i bëjnë aksidentet ajrore lajme në shkallë botërore.
Sipas organizatës së pavarur holandeze “The Aviation Safety Network” viti që sapo lamë pas, është viti i një rekordi të rallë: Asnjë i vdekur nga aksidentet ajrore për pasagjerët komercial që kanë udhëtuar me linjat e rregullta të transportit ajror.
Gjatë vitit 2017 kanë vdekur gjithsej 44 vetë, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë pasagjer i një linje të rregullt ajrore. Ata kanë mbetur të vdekur nga përdorimi i çarterave apo avionëve privat.
Gjithsesi që mundësia e aksidenteve ajrore në ditët e sotme, është e rrallë në krahasim me mjetet e tjera të transportit, mundësitë për të humbur jetën në raste të tilla janë shumë të larta.
Thuajse 80 përqind e aksidenteve ajrore ndodhin direkt pas nisjes së aeroplanit ose pak para uljes dhe në rastet më të shpeshta, konsiderohen se kanë ndodhur për shkak të gabimit njerëzor.
Pozita gjeografike e territorit të Kosovës dhe intensiteti i fluturimeve, krijon parakushtet për rrezikun real të një aksidenti ajror. Një numër i madh i rrugëve ajrore dhe frekuenca e trafikut ajror, e obligon shtetin e Kosovës për të reaguar dhe parandaluar këto fatkeqësi te mundshme.
Është e njohur se rrëzimi i avionit mund të rezultojë me humbje të madhe të jetëve njerëzore dhe dëmtim të pronës.
Për trafikun ajror intensiv pa pasoja, është e nevojshme që shteti i Kosovës të organizojë mirë kontrollin e trafikut ajror dhe të pajisë aeroportin me paisje të standardeve botërore.
Kontrolli i trafikut dhe shërbimet aeroportuale punojnë me një sistem, për të reaguar ndaj një aksidenti në aeroport. Por në çdo rast ato duhet të krijojnë një lidhje me të gjitha njësitë organizative të kërkimit dhe shpëtimit ne tërë territorin e Kosovës.
Është gjithashtu e nevojshme, qe zjarrfikësit shpëtues lokal të Kosovës të ken më shumë njohuri per aksidentet ajrore, qoftë përmes trajnimeve apo prezantimeve të ndryshme lidhur me ketë sferë, qoftë përmes ushtrimeve praktike, në bashkëpunim me zjarrfikësit shpëtues të aeroportit ndërkombëtarë të Prishtinës, të cilet janë të vetmit të specializuar dhe të licensuar në lëmin e zjarrfikjes dhe shpëtimit të aeroplanëve në Kosovë.
Këto janë kërkesa edhe për t’i përmirësuar vazhdimisht standardet dhe zbatimin e rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare.
Realiteti i këtyre aksidenteve është se pak mund te shpetohet, por nëse bëhet i organizuar mirë, në bashkëpunim me njësitë e emergjencave, të zjarrfikësve shpëtues dhe shërbimit ambulantor, ekipet e të cilëve duhet të jenë të trajnuara, që të përgjigjen menjëherë pas marrjes së lajmit për ndodhjen e një aksidenti, si dhe ekipeve të tjera të profesioniste, përfshi edhe një mbështetje të plotë logjistike e teknologjike qeveritare, krijohen mundësi për të lehtësuar në një masë të konsiderueshme humbjen e jetëve njerëzore e në raste të veçanta edhe të dëmeve materiale e teknike.
Në Kosovë pas vitit 1999, është regjistruar një aksident me fatalitet: Aeroplani i Kombeve të Bashkuara, i tipit Aerospatiale ATR – 42, me Regjistrim F-OHFV, Nr i Fluturimit 3275, është aksidentuar me datën 12 Nëntor 1999, në Komunen e Mitrovicës, në Shalë ku kanë humbur jetën 24 udhëtarë, punëtor të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Autori është njohës i çështjeve të emergjencave dhe bashkë-themelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC)