Aksidenti në Lepenc, flet dëshmitari: I kam dëgjuar duke bërtitur nga poshtë
Një taksist nga Kosova ishte dëshmitar i aksidentit të rëndë që ndodhi të shtunën në aksin rrugor Shkup-Bllacë, ku një veturë e tipit “BMW” nga Kosova përfundoi në lumin Lepenc.
Naman Ahmeti ka treguar për Klan Kosovën se çka kishte parë derisa ishte duke u kthyer nga Shkupi.
“Duke ardhur nga Shkupi, minutat kanë qenë në pyetje që kur ka ndodhur aksidenti. Të gjitha copat e plastikës , parakolpit (branikut), duke mos e menduar se vetura është atje poshtë. Kur e pamë një “Touran” me tabela të Shkupit. Mendova se vetëm ai është goditur, po e shikonim ku është vetura tjetër”, deklaroi ai për Klan Kosova.
“Pastaj i kam dëgjuar duke bërtitur prej atje poshtë, atje ku ka rënë vetura me njerëzit brenda, nuk shihej vetura. Kjo shenjë shumë e keqe, por ai që bërtiste, për besë, po më vije keq ta flas këtë fjalë, por nuk e kam pasur guximin që të afrohem as aty afër të shoh se e kam ditur se është e pamundur, se veç Allahu mund t’ju ndihmojë dhe kushdo qoftë, jemi njerëz. Ishalla çka vjen nga zoti duhet të pajtohemi”, shtoi ai.
“Veç duhet pasur shumë kujdes. Edhe timoni është një lloj arme për mendimin tim”, theksoi taksisti nga Kosova.
Njëri nga anëtarët e familjes Pacolli, ka arritur që të del nga vetura, derisa ende nuk dihet gjë rreth tre anëtarëve që po kërkohen ende nga ekipit e kërkim-shpëtimit, kosovare dhe maqedone
Për ta përcjell nga afër situatën atje po qëndron edhe gazetari i Klan Kosovës, Flamur Gajtani.