Aksidenti tragjik në Kroaci, Tahiri kërkon nga qeveria të angazhohet më shumë për familjet e viktimave
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se qeveria nuk ka vullnet të diskutojë për 100-ditëshin e punës se saj.
“Ditën e hënë do të jetë seancë e re për raportin 100-ditësh të qeverisë. Është hera e parë që një kryeministër nuk e procedon 100-ditëshin në Kuvend. Mendoj që është fyerje e Kuvendit të Kosovës. Edhe procedimi i një raporti para deputetëve do të ishte i rëndësishëm. Ne kemi pritur një muaj ku qeveria do të procedonte për raport. Ne kemi kërkuar ky raport të sillet në Kuvend. Nuk presim mrekulli për 100 ditë qeverisje. Meqenëse kjo ka munguar dhe do t’i përdorim mekanizma parlamentar ta vëmë në lëvizje këtë qeveri sepse është e paaftë dhe angazhimin e ka me ua vështirësuar jetën e qytetarëve”.
“Është një shfajësimi i pozitës. Raporti i 100-ditëshit e dorëzon në Kuvend çdo kryeministër. Ne e shohim mosvullnetin e kësaj qeverie për ta diskutuar këtë raport sepse nuk ka angazhim të kësaj qeverie. Po na del që programi i tij të jetë fontanë dëshirash sepse asnjëra në këtë 100-ditësh nuk është realizuar”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes se Kryesisë së Kuvendit.
Në adresimin para mediave, Tahiri ka folur edhe për rishikimin e buxhetit për të cilin ka thënë se nuk i plotëson nevojat e qytetarëve.
“Në rishikimin e buxhetit kemi pasur një mori vërejtjesh. Kemi pasur vërejtje edhe sa i përket mbulimit të shpenzimeve edhe sa i përket sektorit të sundimit të ligjit. Ky buxhet nuk i plotëson nevojat e qytetarëve. Se si do të votojmë do të vendosim në grupin tonë parlamentar”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa duke ju referuar aksidentit tragjik në Kroaci, Tahiri ka thënë se nga qeveria kanë parë vetëm vizitë në shtetin kroat, e cila është mundësuar nga KFOR-i.
“Angazhimin e kemi parë nga Qeveria e Kroacisë. Çfarë kërkoj nga qeveria është t’iu dalë në ndihmë këtyre familjeve”, është shprehur Tahiri.
Në aksidentin në Kroaci kanë humbur jetën dhjetë persona dhe janë lënduar mbi 40 të tjerë.