Aksidenti tragjik në ‘Lepenc’, arrestohet shoferi maqedonas që ishte i përfshirë në rast
Një person është arrestuar të dielën nën dyshimin se është përfshirë në aksidentin në Maqedoni të Veriut, ku një veturë me targa të Kosovës ka rënë në lumin “Lepenc”.
I arrestuari është nga Shkupi.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka dhënë informacione sot lidhur me aksidentin që ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, ku një veturë me targa të Republikës së Kosovës ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në lumin “Lepenc”.
Në veturë kanë qenë katër pjesëtarë të një familjeje nga Kosova. Njëri prej tyre ka arritur që të dalë nga lumi Lepenc, përderisa të tjerët janë në kërkim.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë me dije se aktualisht ndodhen 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim-shpëtimit, të cilët në koordinim dhe bashkëveprim me ekipet profesionale të Maqedonisë së Veriut po punojnë në lokalizimin dhe nxjerrjen e personave nga lumi. /KosovaPress