Aksidenti tragjik në Prizren, ndalohen dy persona
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, është deklaruar shkurt për aksidentin në autostradë, ku tre persona vdiqën e tre të tjerë u lënduan.
Shala ka thënë se dy persona janë ndaluar në lidhje me rastin.
“Janë në ndalim dy të dyshuar”, ka thënë ai për medie.
Ndërsa në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës është thënë se ka përfunduar në pranga shoferi i cili i ka goditur këmbësorët.
“Aksident trafiku me fatalitet- Autostrada-Ibrahim Rugova, (km-15) 16.12.2023-22:45. Gjatë ngasjes në autostradë i dyshuari kosovar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë. Si pasojë, tre personat e goditur kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore”, ka njoftuar policia.