Aksidentohet autobusi i KFF Jakova, lëndohet tetë futbolliste dhe trajneri
Automjeti me të cilin po udhëtonin futbollistet dhe stafi i KFF Jakova gjatë kthimit nga një aktivitet nga Shqipëria është rrokullisur mbrëmjen e kaluar në afërsi të Junikut.
Si pasojë e këtij aksidenti dy futbolliste dhe trajneri i skuadrës së senioreve, N.Kamberi ndodhen aktualisht për trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin e Gjakovës, por fatmirësisht janë pa lëndime serioze dhe jashtë rrezikut për jetë.
Pjesa tjetër e futbollisteve pas trajtimit të duhur mjekësor, në mesditë, janë liruar në shtëpi. Është klubi i KF Gjakovës që ka konfirmuar një gjë të tillë me anë të faqes së tyre zyrtare në “Facebook”.
Pas aksidentit, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka shpreh keqardhje për këtë aksident dhe shpreh gatishmërinë për t’i qëndruar afër KFF Jakova dhe futbollisteve të këtij klubi për ta kaluar sa më parë këtë moment traume dhe lëndimet e pësuara nga ky aksident. Njëherësh, FFK-ja uron që futbollistet dhe i gjithë stafi i KFF Jakova të shërohen sa më shpejt nga lëndimet e pësuara dhe t’i rikthehen punës në fushën e gjelbër, duke shpresuar që raste të tilla të mos ndodhin asnjëherë.