Aksion i Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar në Skenderaj, Viti e Klinë
Drejtoria për Hetimin e Krimit të organizuar në koordinim me Prokurorin e Shtetit, si rezultat i një hetimi për të identifikuar personat e involvuar në aktivitete kriminale, sot ka ndërmarrë një aksion të gjerë me ç’rast pritet të bien në pranga disa persona të dyshuar, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se me urdhër të Gjykatës, Policia do të kryejë bastisje në disa lokacione në Skenderaj, Viti dhe Klinë, ku pritet sigurimi i provave materiale që provojnë përfshirjen e të dyshuarve në veprime të kundërligjshme.
Këto burime kanë konfirmuar se subjekt i hetimit kanë qenë disa persona, për të cilët tashmë është urdhëruar arrestimi dhe ndalimi i tyre.
Sinjali posedon edhe detaje tjera të rëndësishme lidhur me këtë aksion, mirëpo për shkak të ndjeshmërisë së hetimit dhe me qëllim që lajmi të mos ketë ndikim negativ në mbarëvajtjen e këtij aksioni, tani për tani nuk do të publikojë më shumë informacione.