Aksion i përgjithshëm për ndaljen e keqpërdorimit të ujit të pijshëm në Rahovec

25 korrik 2023 | 11:33

Smajl Latifi ka bërë me dije se në cilësinë e kryetarit të komunës së Rahovecit bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Përparim Krasniqi, ka kërkuar një takim të jashtëzakonshëm me KRU “Gjakova”, të cilin e mbajtën sot.

Latifi ka thënë se gjatë këtij takimi kanë biseduar për problemet me ujë të pijshëm, që po përballen banorët e komunës së Rahovecit, sidomos ata që jetojnë në zonat sipërore.

“Në fokus patëm edhe problemet e krijuara nga keqpërdorimet që po bëhen me ujin e pijshëm e si pasojë ka mungesë të ujit. U pajtuam që të fillojmë një aksion të menjëhershëm të kontrollimit, në koordinim me inspektorët e Komunës së Rahovecit dhe Njësitin e kontrollit së KRU ‘Gjakova’, i cili do të bëhet edhe me mbështetje të policisë. Ju vëmë në dijeni që duke u mbështetur në Rregulloren për Shërbimet Publike të KK Rahovec, nr. 01/2018, neni 157, këto janë gjobat me të cilat do të jepen ndaj keqpërdoruesve të ujit të pijshëm: -Personat fizikë: 20 – 1.000 euro; Personat fizikë që ushtrojnë biznes individual: 50 – 3,000 euro; Personat juridikë: 150 – 10,000 euro”, ka bërë me dije Latifi.

Ai ka thënë se ky aksion do të jetë shumë serioz deri sa të arrihet një stabilitet me ujin e pijshëm.

“Ftojmë qytetarët tanë që të bashkëpunojnë me ne për stabilizimin dhe furnizimin e ujit të pijshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar, sepse: Uji është jetë”, është shprehur kryetari Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Përfaqësues së Kosovës, Fidan Aliti ka ndryshuar ambient…