Aksion i policisë në Dibër, sekuestrohen mbi 1 ton lëndë plasëse dhe arrestohen 6 persona
Një ton e 162 kilogramë lëndë plasëse, 3 815 kapsolla elektrike dhe 6 të arrestuar është bilanci i operacionit “Toka e artë”, i zhvilluar nga policia në Dibër.
Detajet e operacionit janë zbuluar përmes një konference për mediat nga kreu i Policisë së Dibrës, Dhimitraq Ziu, i cili ka theksuar se janë goditur raste të shfrytëzimit të minierave, në mënyrë të paligjshme, të magazinimit dhe tregtimit të lëndëve plasëse, të fshehjes së të ardhurave dhe të punësimit të paligjshëm, raporton “Top Chanel”.
Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Ushtrimi i aktivitetit pa qenë i regjistruar pranë organeve tatimore”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municioneve”.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në galeri janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 kallëpe me lëndë plasëse dinamit (me peshë 8 kg) dhe 15 kapsolla elektrike. Gjithsej janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 ton e 162 kilogramë lëndë plasëse dhe 3 815 kapsolla elektrike dhe janë vënë në pranga 6 shtetas”, ka thënë Policia e Shtetit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme.