Aksion kundër fajdes në Prishtinë dhe Podujevë, bastisen shtëpi dhe lokale
Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot është duke e realizuar një aksion kundër fajdes.
“Gjatë këtij aksioni janë duke u kontrolluar dhe bastisur, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës dhe Podujevës, për shkak të dyshimit të veprave penale ‘Fajdeja’ nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘Shmangia nga tatimi” nga neni 307 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së, ‘Detyrimi’ nga neni 328 paragrafi 2 të KPRK-së dhe ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozi të paligjshëm’ nga neni 294 paragrafi 3 i KPRK-së”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj
Lidhur me këtë aksion, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar katër persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartcekura.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka theksuar se do të mbajë të informuar opinionin në vazhdimësi lidhur me këtë aksion.