Aksion tjetër i policisë në veri, Sveçla: Nëse dikush mendon se do ta lëmë me kaq, e ka gabim
Ai gjatë ditës së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë qëndruar në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku janë informuar për së afërmi nga ekspertët e fushës në lidhje me gjendjen aktuale në kanalin e Ibër-Lepencit.
Sveçla ka folur mbi aksionin policor në lokacione të ndryshme drejt ndriçimit të rastit, identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar, në lidhje me sulmet e fundit në veri, përfshirë edhe sulmin në kanalin e ujit.
“Nuk jam në ngjarje dhe detaje se çfarë është duke ndodhur. Unë e di që policia po e vazhdon punën e saj. Realisht, ky është sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike. Nëse dikush mendon se ne do ta lëmë me kaq, e ka shumë gabim. Institucionet e sigurisë dhe hetimet do të zbulojnë krejt çka ka ndodhur dhe kush e ka kryer këtë, patjetër se përgjegjësit do t’i vë para drejtësisë, kurse përgjegjësit apo urdhërdhënësit e tyre patjetër që do të marrin barrën politike”, ka thënë Sveçla.