Aksioni i Krimeve Ekonomike në Kamenicë, Rahimaj: Ngjarja ka të bëjë me qeverisjen e PSD-së
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka folur për aksionin e policisë, të zhvilluar këtë të mërkurë në rajonin e Gjilanit dhe Kamenicës, në të cilin janë arrestuar katër persona.
Nga ky aksion u ndaluan për 48 orë tre zyrtarë dhe një pronar i një kompanie, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me një procedurë tenderuese për një tender në vlerë prej 35 mijë eurove.
Rahimaj, për Klan Kosovën, ka thënë se ngjarja ka të bëjë me qeverisjen e kaluar në Komunën e Kamenicës.
“Më lejoni që e gjithë ngjarja ka të bëjë me qeverisjen e kaluar, të udhëhequr nga Partia Socialdemokrate, konkretisht nga ish-kryetari Qëndron Kastrati. Procedurat tenderuese kanë filluar në muajin tetor të vitit 2020 dhe pagesa ndaj kompanisë fituese është ekzekutuar në ditën e fundit të vitit fiskal, më 23 dhjetor të vitit 2020”, ka thënë Rahimaj.
Në njoftimin e policisë thuhet se “Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjilan ka zhvilluar hetime lidhur me një tender furnizimi për shkolla në Kamenicë, ku të dyshuar ishin komisioni vlerësues i komunës dhe pronari i një kompanie, të cilët dyshohej se kanë mashtruar me një procedurë tenderuese për një tender me vlerë prej mbi 35 mijë euro”.
Tutje deklarohet se, gjatë hetimeve, janë siguruar dëshmi relevante se komisioni prej tre anëtarëve ka nënshkruar raportin e pranimit të mallit, pa ardhur malli, duke dëmtuar buxhetin e komunës, e duke i mundësuar operatorit ekonomik përfitim të kundërligjshëm për shumën e lartcekur.
“Me këto veprime, të dyshuarit me iniciale (P.J., I.Z. dhe F.D.) dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.K.) pronar i kompanisë, dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë mbi 35 mijë euro për tenderin në fjalë, pasi që i njëjti nuk i është përmbajtur kontratës dhe deri tani nuk ka bërë furnizimin me mall, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.