Aksioni i madh i prokurorisë kundër mashtrimit dhe shmangies nga tatimi
Një aksion i madh është duke u zhvilluar në disa lokacione të Kosovës.
Aksioni i udhëhequr nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, po zhvillohet mbi dyshimin e kryerjes së disa veprave penale nga ana e qytetarëve dhe zyrtarëve.
Veprat penale janë “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.
Kështu tha për Klankosova.tv zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës, mbi dyshimin e kryerjes së veprave penale nga persona zyrtarë e qytetarë, më konkretisht dyshim mbi kryerjen e veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi””, tha ajo.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë do t’iu njoftojë me kohë për zhvillimet nga ky aksion, pasi të mbarojë i tëri”, theksoi Ulaj.