Aksioni kundër mashtrimeve me call center që përfundoi me 20 të arrestuar, Rohde përgëzon Policinë e Kosovës dhe atë gjermane

29 nëntor 2024 | 20:16

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka përgëzuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë për aksionin e përbashkët që zhvilluan kundër mashtrimeve me call center në Kosovë.

Rohde ka thënë se ky operacion tregon për bashkëpunimin e shkëlqyer mes autoriteteve në luftën kundër krimit të organizuar, shkruan Reporteri.net.

“Këtë javë, Policia e Gjermanisë dhe ajo e Kosovës zhvilluan suksesshëm një aksion të përbashkët kundër mashtrimeve me call center në Kosovë. Ky operacion nënvizon bashkëpunimin e shkëlqyer mes autoriteteve në luftën kundër krimit të organizuar. Faleminderit të gjithë zyrtarëve të përfshirë në punën e shkëlqyer ekipore”, ka shkruar Rohde në llogarinë e tij në platformën “X”.

Aksioni u zhvillua të martën, pas hetimeve disa mujore, dhe përfundoi me arrestimin e 20 personave, pas kontrolleve që u kryen në 14 lokacione të ndryshme, në Prishtinë, Ferizaj, Kaçanik dhe Klinë. Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale: “Hyrja e paautorizuar kompjuterike” dhe “Mashtrimi”.

Në një komunikatë të përbashkët që lëshuan Prokuroria Speciale dhe Policia, u bë e ditur se në zbatimin e planit kanë marrë pjesë rreth 120 zyrtarë policorë, si dhe zyrtarë gjerman, prokurorë e zyrtarë policorë.

Gjatë operacionit, janë sekuestruar 120 mijë euro para të gatshme, pesë vetura të ndryshme, 30 kompjuterë, 30 telefona, pajisje memorizuese, dokumente, si dhe janë ngrirë mjete financiare nëpër banka në Kosovë, si dhe prona të paluajtshme.

“Me urdhër të Prokurorit nga Prokuroria Speciale, 10 të dyshuar dërgohen në mbajtje prej 48 orëve, ndërsa 10 të dyshuar të tjerë lirohen në procedurë të rregullt”, u tha në njoftim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Frontet e luftës janë të hapura nga Europa në Lindjen…