Aksioni në veri, Osmani: Lufta kundër krimit të organizuar, e pakompromis dhe e panegociueshme
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas aksionit të policisë në veri të vendit.
Osmani në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme.
Duke iu referuar deklaratës së shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, i cili ka thënë se “incidentet e dhunshme në veri duhet të ndalen menjëherë, teksa ka konsideruar se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme”, Osmani ka deklaruar BE-ja që dy dekada ka bërë thirrje për luftimin e krimit.
“Disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim. Por, ato ditë kanë perënduar. Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale. Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vërtetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson”, ka shkruar Osmani.
Postimi i plotë i Osmanit:
Lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme. Të negociosh e të bësh kompromis me krimin është të bëhesh njëri prej tyre.
Prandaj aksioni i sotëm i policisë dhe doganës së Kosovës, i autorizuar nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të quhet “aksion në veri”, sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndaj personave të etnive të ndryshme, e që të përbashkëtën e kishte kontrabandën dhe krimin e organizuar.
Ky lloj i krimit ka qenë gjithnjë multietnik.
Disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim.
Por, ato ditë kanë perënduar. Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale.
Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë.
Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vërtetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson.