Aksioni ‘Ta pastrojmë Kosovën’ bëri bashkë më shumë se 109 mijë vullnetarë
Mbi 316 tonë dhe 46 mijë thasë me mbeturina kanë arritur nga largohen brenda dy ditëve nga më shumë se 109 mijë vullnetarë falë aksionit të madh “Ta pastrojmë Kosovën”, i cili filloi edhe zyrtarisht të shtunën, më 15 shtator, për të vazhduar deri më 15 dhjetor të këtij viti.
Aksioni i nisur me iniciativë të “Let’s Do It Kosova” dhe i mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, arriti një mobilizim të jashtëzakonshëm të mijëra vullnetarëve, institucioneve qendrore e komunale, organizatave e qytetarëve të shumtë.
Në konferencën për media ku u publikuan këto të dhëna, drejtori i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, ka thënë se ditët e para të fushatës kanë tejkaluar edhe pritshmëritë tona, falë mijëra vullnetarëve që iu përgjigjen pozitivisht thirrjeve të vazhdueshme për pjesëmarrje në aksione pastrimi.
Fushata e iniciuar nga “Let’s Do It Kosova” ka bërë bashkë Qeverinë, komuna, ambasada, KFOR-in, FSK-në, Policinë e Kosovës, Organizata Joqeveritare, shoqërinë civile, kompani private, nxënës të shkollave fillore e të mesme, studentë e qytetarë të shumtë gjithandej vendit, për një Kosovë më të pastër.
/Epoka e re/