Aktakuza kundër Trumpit krijon ndarje mes disa republikanëve
Aktakuza kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump për mbajtjen e paautorizuar të materialeve të klasifikuara nga ana e tij është duke sjell disa ndarje ndërmjet republikanëve.
Korrespondentja e “Zërit të Amerikës”, Veronica Balderas Iglesias, ka sjell një përmbledhje të disa prej deklaratave të bëra gjatë fundjavës.
Edhe pse ish-presidenti Donald Trump është deklarua i pafajshëm javën e kaluar ndaj akuzave për mbajtje të qëllimtë e të paautorizuar të dokumenteve sekrete, aktakuza e fundit ndaj tij vazhdon të nxisë debate të nxehta në mes të anëtarëve të partisë republikane.
Kandidati republikan për president dhe ish-prokurori Asa Hutchinson, ka thënë se Trumpi duhet të tërhiqet nga gara presidenciale.
“Kur ke mbi vete sfidën e hetimeve të shumta gjatë rrjedhës së vitit të ardhshëm nuk është e drejtë për vendin, dhe sigurisht nuk është e drejtë për partinë tonë që dëshiron ta kthejë këtë vend në rrugën e duhur”, ka thënë ai.
I intervistuar nga kanali “NBC”, ish-nënpresidenti Mike Pence, i cili gjithashtu kandidon për president, ka pyetur përse konkurrentët në zgjedhjet paraprake republikane supozojnë se Trump do të shpallet fajtor.
“Gjithçka që dimë është se për çfarë është akuzuar presidenti në aktakuzë. Nuk e dimë cilat janë argumentet e mbrojtjes së tij. Nuk e dimë nëse kjo çështje do të shkojë në gjyq. Aktakuzat mund të deklarohet e pavlefshme”, ka thënë Pence.
Duke dalë në kanalin “CNN”, kryetari i Komisionit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani Mike Turner, ka nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të procesit ligjor.
“Sigurisht që nuk do të mbroj sjelljen që është parashtruar në atë aktakuzë, por ata do të duhet ta provojnë atë”, ka thënë ai.
Presidenti Joe Biden, i cili e ka filluar fushatën për rizgjedhje këtë fundjavë, ka refuzuar të komentojë sfidat ligjore të Trumpit. Bideni është duke iu bindur rregullave që mbrojnë hetimin, ka shpjeguar senatori demokrat, Sheldon Whitehouse në kanalin “ABC”.
“Ai nuk bashkëpunon me prokurorin e përgjithshëm, Garland. Ai nuk flet me të për çështje penale. Dhe së dyti, vetë zoti Garland është përjashtuar nga kjo çështje sepse ai ka emëruar një avokat special. Dhe aftësia e tij për t’u angazhuar me avokatin special është jashtëzakonisht e kufizuar”.
Presidenti Biden është vetë nën hetim për mbajtje të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara. Por edhe nëse shpallet fajtor, ai mund të mos përballet me akuza pasi historikisht pozicioni i Departamentit të Drejtësisë ka qenë që të mos padisë presidentët në detyrë. /VOA