Aktakuzë kundër ish-zyrtarëve të Telekomit
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër tre ish-zyrtarëve të lartë Telekomit të Kosovës. Të gjithë ata akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Ejup Qerimi, ish-menaxher i Telekomit, gjatë periudhës kohore shkurt 2012, tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa, po ashtu ish-menaxher i Telekomit, nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri me datën 24.05.2017, kur ky i pandehur, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër.
Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se “i pandehuri i tretë, Rexhë Gjonbalaj, ish-kryetar i Bordit të Telekomit, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, nuk e ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër.
Me këto veprime, i pandehuri Gjonbalaj ka kryer veprën penale, ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.