Aktakuzë kundër një gruaje për organizim dhe pjesëmarrje në luftën e Sirisë

06 maj 2020 | 15:02

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurës me inicialet D.D., për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Sipas kësaj prokurorie, e pandehura D.D., me datën 29.10.2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, ka kaluar nga Kosova në Maqedoninë e Veriut përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, dhe nga Aeroporti i Shkupit ka vazhduar rrugën në drejtim të Stambollit të Turqisë.

Më tutje, ajo ka përfunduar në qytetin Sedel Faruk në Siri, ku është pritur nga bashkëshorti i saj B.S., nga Shkupi, luftëtar i ISIS-it.

Po ashtu, prokuroria ka njoftuar se D.D ka qëndruar dhe ka vepruar në zonat e konfliktit në Siri.

“E pandehura D.D., është trajnuar nga i njëjti për përdorimin e pushkës automatike dhe është angazhuar në pikëpamje logjistike në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake. Po ashtu, e njëjta është financuar nga ISIS për shumën e të hollave nga 100 -150 dollarë në muaj, si dhe me pako ushqimore. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, pas martesës me personin e quajtur D.S., pjesëtar i ISIS-it, ka qëndruar dhe vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri, e që edhe në muajin dhjetor të vitit 2018, përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga forcat demokratike siriane ku edhe me datë 19.04.2019, e njëjta është riatdhesuar në Kosovë” , ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës. Sipas Prokurorisë Speciale me këto veprime e pandehura D.D., ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.  (L.G: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Shefik Surdulli,…