Aktakuzë kundër personit që dyshohet se vrau vëllain në Rahovec
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit J.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 12 qershor 2021, në fshatin Sopniq, Komuna e Rahovecit, pikërisht në oborrin e shtëpisë së tij, i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin, vëllain e tij, H.G.
Rasti ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth disa bagëtive, ku viktima kishte shkuar me dy djemtë e tij në oborrin e të pandehurit dhe pas një fjalosje , i njëjti me armë zjarri e ka qëlluar dy herë vëllain e tij, tani të ndjerin, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1, nen paragrafi 1.3 dhe 1.5 të KPRK-së.
Po ashtu, i pandehuri J.G., më parë e deri më 12 qershor 2021, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë.
Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragraf 1 i KPRK-së.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës kompetente, që i pandehuri J.G., të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.