Aktakuzë kundër tetë zyrtarëve policorë për marrje ryshfeti dhe katër qytetarëve për dhënie ryshfeti
Prokuroria Speciale (PS) ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër dymbëdhjetë (12) të pandehurve me inicialet T.D., M.S., V.L., A.A., V.M., A.S., A.C., B.K., M.J., A.A., S.S. dhe D.I. për veprat penale dhënie dhe marrje e ryshfetit.
Të pandehurit T.D., M.S., V.L., A.A., V.M., A.S., A.C., M.J., akuzohen se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” ndërsa të pandehurit B.K., A.A., S.S. dhe D.I., akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
“Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër të pandehurve është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar mirë se gjatë periudhës kohore shtator 2021 deri në korrik 2022, në pikë kalimin kufitar tek Hani i Elezit, gjegjësisht në zyrën e evidencës paraprake si dhe gjatë patrullimit si njësi e anti-kontrabandës në pjesën veriore por edhe në pjesë tjera të vendit, të pandehurit në cilësinë e personave zyrtarë – zyrtarë policorë, në vazhdimësi secili veç e veç por edhe duke bashkëvepruar me njëri tjetrin, në mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë pranuar para në shuma të ndryshme, me qëllim që të mos e kryejnë veprimin zyrtar të cilin ata duhej ta kryenin, si mbikëqyrjen e rregullt doganore dhe kontrollin e rregullt kufitar”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.