Aktakuzë kundër tre personave për marrje dhe dhënie të ryshfetit
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.B., për shkak të veprës penale “Marrja e ryshfetit” dhe të pandehurve Sh.P. dhe N.O., për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri M.B., në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20 mijë, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, të KPRK-së.
Me këto veprime ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit Sh.P. dhe N.O., me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin M.B., me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës të sipërshënuar penale.
Me këto veprime kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.