Aktakuzë kundër tre personave për vrasje në tentativë
Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër tre personave për vrasje në tentative.
Sipas aktakuzës, i dyshuari Z.Q. më 19 dhjetor të vitit të kaluar në Kaçanik, kishte tentuar që me dashje ta vrasë viktimën A.A., duke e sulmuar me thikë në kraharorin e majtë.
Ndërsa personi me inicialet A.Ç. akuzohet se ka marrë pjesë në rrahjen e viktimës, kurse ai me inicialet L.I. e ka therur viktimën në anën e majtë të shpinës, me ç’rast është akuzuar për lëndim të lehtë trupor.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinion publik se ka ngritur aktakuzë kundër tre (3) personave të pandehur me inicialet Z.Q., A. Ç., dhe L.I.”, është thënë një njoftimin e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Z.Q., më 19 dhjetor 2020, në Kaçanik, me dashje ka tentuar që të privoj nga jeta të dëmtuarin A.A., duke e goditur të njëjtin me një mjet të mprehtë-thikë, në pjesën e pasme të kraharorit të majtë, duke i shkaktuar lëndim të rëndë trupor dhe të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit, me ç’rast ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Ndërsa i pandehuri A. Ç., ka marr pjesë në rrahjen e cila ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor të të dëmtuarit A.A., me ç’rast ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 paragrafi 1 të KPRK-së”.
Kurse, i pandehuri L.I., me qëllim të dinjitetit të personit tjetër e sulmon fizikisht të dëmtuarin K.T., duke e goditur të njëjtin me mjet të mprehtë-thikë në pjesën e anës së majtë të shpinës, ashtu që i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor për çka i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 1.4 të KPRK-së”.