Aktakuzë ndaj biznesmenit Muharremi, ngarkohet për vjedhje të energjisë elektrike
Biznesmenit Ridvan Muharrremi tashmë i është i ngritur një aktakuzë për vjedhje të rrymës në biznesin e tij.
Aktakuza është ngritur më 6 gusht të 2021-ës derisa dëmi që Prokuroria pretendon se i është bërë KEDS-it është 2 mijë e 473 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Ridan Muharremi po akuzohet se më datë 19 nëntor 2020 në furrën e tij, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme ka shfrytëzuar njësorët e energjisë elektrike paautorizim të furnizuesit në këtë rast KEDS.
Sipas aktit akuzues me këtë Muharremi ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme deri 3 vjet burgim.
“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me avokatin e Muharremit, Mahmut Halimin, i cili ka thënë se nuk e përfaqëson Muharremin në këtë lëndë, por vetëm në rastin e rezervave shtetërore
“S’kam lidhje me këtë rast të Ridvanit”, ka thënë Halimi për “Betimi për Drejtësi”.
Ridvan Muharremi aktualisht është në paraburgim pasi po dyshohet nga Prokuroria Speciale se ka ndërmjetësuar kundërligjshëm në blerjen e rezervave shtetërore nga Turqia dhe Polonia. Ai dyshohet se iu ka ndihmuar dy zyrtarëve shtetërorë Hafiz Gara, Irfan Lipovica , që të shkelin ligjin kur kanë porositur blerjen e rezervave shtetërore.