Aktakuzë ndaj dy grave nga Kosova që iu bashkuan IS-it
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës të premten është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale kundër dy të pandehurave me inicialet L.I dhe A.A., për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurat me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, duke shkuar në Siri, ku i janë bashkëngjitur grupit militant, Shteti Islamik.
“E dyshuara A.A., me vëllanë e bashkëshortit të saj, përmes Aeroportit të Tiranës ‘Nënë Tereza’ kanë shkuar së pari në Stamboll, e pastaj në Siri, ku, secila veç e veç, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik iu kanë ofruar shërbime logjistike ushtarëve – anëtarëve meshkuj të familjes, ashtu që e pandehura L.I., pas vrasjes së bashkëshortit të parë A.U., është martuar me K.K., nga Shkupi, e pas vrasjes së tij me N.H. nga Pogradeci, të cilët po ashtu aktivisht kanë luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik, deri sa ISIS-i e ka pësuar disfatën e plotë kur kanë qenë të detyruara që të dorëzohen te forcat kurdë, të cilët pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane i kanë deportuar në Kosovë më 24 prill 2019”, është thënë në njoftimin për media.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime secila veç e veç, e kanë kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në total, numri i qytetarëve të Kosovës që patën shkuar në Siri dhe Irak, llogaritet të jetë rreth 400, duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë.
Ndërkaq mbi 100 persona nga Kosova janë vrarë atje.
Më 19 prill të vitit të kaluar, Kosova ka kthyer 110 qytetarë të saj nga Siria duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë të huaj.
(Q.R / Epoka e re)