Aktakuzë ndaj dy personave për pjesëmarrje në ISIS
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër dy personave me inicialet V.K dhe F.D., për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
“V.K. me qëllim që të marrë pjesë në veprimtarinë e grupeve terroriste ISIS në Siri, më 30.03. 2015, duke vepruar me dashje dhe në dijeni për veprimet e veta, është nisur për në Shkup-Maqedonia e Veriut, së bashku me bashkëshortin e saj M.B. dhe me të pandehurit e tjerë, ndër ta edhe F.D., për të arritur në drejtim të Stambollit- Turqi, e më pas për të vazhduar për në Siri, ku i janë bashkangjitur grupit terrorist. E pandehura këto veprime i ka kryer në vazhdimësi, deri në kohën kur është dorëzuar te Forcat Kurde, në fillim të vitit 2019, e ku ka qëndruar për rreth dy muaj, kurse më 20.04.2019 është deportuar në Kosovë”.
“Ndërkaq i pandehuri F.D., me qëllim që të marrë pjesë në veprimtarinë e grupeve terroriste ISIS në Siri, më 30.03.2015, duke vepruar me dashje dhe në dijeni për veprimet e veta, fillimisht nga Kosova ka shkuar në Shkup, së bashku me gruan e tij, të pandehurën G.A. dhe me të pandehurit e tjerë, ndër ta M.B dhe V.K, kanë udhëtuar në drejtim të Stambollit-Turqi, e ku më pas ka hyrë në territorin e Sirisë dhe i bashkëngjitet grupit terrorist ISIS”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.