Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Suharekës për keqpërdorim në një tender
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se të pandehurit B.B., në cilësinë e menaxherit të kontratës për tenderin “Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore”, dhe B.K. në cilësinë e mbikëqyrësit, kanë bërë veprime që kanë dëmtuar Komunën e Suharekës dhe i kanë mundësuar përfitime materiale operatorit ekonomik që ka fituar tenderin.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit B.B., dhe B.K., prej datës 22.05.2018 e deri me datë 22.10.2018, në Suharekë, në cilësinë e personave zyrtarë, i pandehuri B.B. në cilësinë e menaxherit të kontratës, për projektin: ‘Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore’, i pandehuri B.K. në cilësinë e mbikëqyrësit të projektit të njëjtë, i kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare lidhur me këtë projekt, ashtu që në kundërshtim me nenin 61 të Rregullave dhe udhëzuesit operativ të Prokurimit Publik, pa miratimin e zyrtarit kryesor administrativ – kryetarit të Komunës së Suharekës, i pandehuri B.K., ndryshon, ndërsa i pandehuri B.B., i aprovon paramasat dhe parallogaritë gjatë ekzekutimit të punimeve, ashtu që në poligonet sportive në fshatin Peqan, Sllapuzhan dhe Buzhalë, në vend të rrethojave të poligoneve sportive me profil metalik të plasitifikuar ndryshojnë paramasat në rrethoja – profile metalike të zinkuara, në poligonin sportiv në fshatin Buzhalë, ndryshojnë paramasën dhe parallogarinë ashtu që në vend të shtrimit të fushës sportive me beton, bëjnë shtrimin e fushës sportive me bar natyror, me ç’rast Komunës së Suharekës i shkaktojnë dëm material në shumë prej 6 839 42 euro, ndërsa operatorit ekonomik me seli në Prishtinë, i mundësojnë përfitim të dobisë materiale në shumë prej 6 839 42 euro ”, ka njoftuar prokuroria.
Sipas njoftimit prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit, për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.