Aktakuzë ndaj Gjergj Dedajt për kanosje të presidentes Osmani
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedajt.
Aktakuza është ngritur më 20.10.2023, ndërsa lajmin e ka konfirmuar sot për teve1.info zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
Dedajt i është ngritur aktakuzë në drejtim të veprës penale “Kanosja”.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se më 20.10.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet Gj.D., në drejtim të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Mediumi ka provuar të kontaktojë edhe me Dedajn, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Megjithatë, mësohet se kjo aktakuzë është ngritur për shkak të gjuhës që Dedaj kishte përdorur ndaj presidentes, Vjosa Osmani në një emision televiziv.
Dedaj gjatë një paraqitje televizive kishte thënë se ndihet i rrezikuar nga siç e ka quajtur ai “Klani i Osmanit”, duke shtuar se ai dhe familja e tij që vjen nga Malësia e Gjakovës, veprojnë sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Këtë deklaratë, Dedaj e kishte bërë pasi ishte shkarkuar nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Maqedoni të Veriut.
Për këto deklarata kërcënuese të Dedajt, presidentja Vjosa Osmani e kishte denoncuar ish-ambasadorin tek organet e rendit.