Aktakuzë ndaj personit që iu gjetën qindra kilogramë mish të prishur në Fushë-Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë me dije se ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet Xh.G.
Sipas aktakuzës atij i janë gjetur qindra kilogramë mish, i cili në mënyrë të kundërligjshme i kishte vënë në shitje.
“I pandehuri Xh.G., në vazhdimësi, në Fushë Kosovë, saktësisht në rrugën ‘Hajrullah Zymi’ afër shkollës fillore ‘Mihal Grameno’, me qëllim të përfitimit të kundërligjshme pasuror ka vu në shitje produkte ushqimore duke e ditur se janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve në atë mënyrë që të njëjtit në lokalin e tij nga inspektori sanitar i Agjencisë të Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe nga Policia e Kosovës, i janë gjetur një sasi prej 126 kg e produkteve të mishit, pa dokumentet e nevojshme të kontrollit nga personi kompetent, pa dokumentin e prejardhjes, si dhe pa datën e prodhimit apo të skadimit”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të gjykatës pas analizave të bëra nga laboratori i AUV-it, këto produkte kanë rezultuar në përmbajtjen e baktereve.
“Po të njëjtën ditë, të datës 12.10.2021, rreth orës 20:00, në oborrin e shtëpisë së tij, në një depo të pasiguruar mirë i është gjetur një sasi prej 50 kg mish, po ashtu pa dokument të prejardhjes dhe datën e prodhimit apo skadimit, të cilat produkte pas analizave të bëra nga Laboratori i AVU-së kanë rezultuar pozitiv me përmbajtjen e baktereve ‘escherichia coli dghe sallmonella spp’, çka me këtë seriozisht ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar gjykata.
Me këtë i pandehuri ka kryer veprën “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”.
Me vendim të prokurori të shtetit, produktet e konfiskuara janë asgjësuar sipas procedurave të AUV-së.