Aktakuzë ndaj personit që kanosi pronarin e Veriu.info, shkak artikulli për arrestimin e të kërkuarit nga Italia për trafik me narkotik
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj personit me iniciale L.L., i cili dyshohet se kanosi pronarin e portalit Veriut.
“I pandehuri L.L., me datë 28 gusht rreth orës 22:00 minuta në Mitrovicë, seriozisht kanos personin me iniciale G.M., – pronar i portalit Veriu.info, duke e kanosur se do t’i shkaktoj ndonjë te keqe, për shkak të publikimit që portali që e drejton i dëmtuari kishte bërë për arrestimin e babit të të pandehurit L.L., e duke i shkruar mesazhe kërcënuese, me çka të dëmtuarit i ka shkaktuar frikë e shqetësim emocional”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.
Prokuroria thotë se me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
Bëhet e ditur se Prokuroria i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.
Ndryshe, kërcënimet nga L.L. në redaksi kishin ardhur pasi që më datë 28 gusht 2024, Veriu.info ka publikuar një artikull për arrestimin e personit Fuad Lushta nga Njësiti FAST Kosova i Policisë së Kosovës në bazë të kërkesë së Italisë, shtet nga i cili ishte i kërkuar për trafikim ndërkombëtar me narkotik.
Pas këtij artikulli të publikuar L.L., djali i të arrestuarit Fuad Lushta, kishte nisur kërcënime serioze dhe të vazhdueshme ndaj redaksisë së Veriu.info, rast të cilin të nesërmen e kemi denoncuar në polici.