Aktakuzë ndaj shtatë personave në Prishtinë, në mesin e tyre edhe një polic
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, për për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Njëri nga të dyshuarit është zyrtar policor, i cili dyshohet se ishte i caktuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe sipas komunikatës për media, ai me dashje e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i krijuar favore personit tjetër.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri S.N., në cilësinë e personit zyrtar, i caktuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, me dashje dhe dijeni e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i krijuar favore personit tjetër në atë mënyrë që gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, i pandehuri në kundërshtim me detyrat e tija zyrtare, kishte komunikuar përmes telefonit dhe pa autorizim, me avokatin e të dyshuarit-tani i ndjerë, i cili ka qenë i dyshuar për veprën penale të dhunës në familje, me qëllim të mundësimit të lirimit të tij fillimisht nga masa e ndalimit”.
“Më pas duke i mundësuar të takohej dhe të ketë kontakte me familjarët e tij e me persona të tjerë, si dhe duke kërkuar edhe nga zyrtarët e tjerë policorë që ishin në zbatim të vendimit të prokurorit të shtetit mbi ndalimin e të dyshuarit-tani i ndjeri, që t’ia mundësonin kontaktet me familjarët dhe personat e tjerë, kështu duke vazhduar edhe me pengimin e zbatimit të masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, të dyshuarit tjerë në vende të ndryshme të Prishtinës bëhet e ditur se kanë organizuar, ndihmuar dhe marrë pjesë në lojëra të fatit, përmes një faqes së internetit dhe përdorimit të telefonave.
“Të pandehurve Rr.K. dhe G.H., pas zbatimit të urdhëresës së lëshuar nga gjykata për kontroll u janë gjetur në posedim armë pa autorizim nga organi kompetent. Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë, si dhe për të pandehurin S.N., ka propozuar që t’i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike”.
“Ndërsa, në bazë të nenit 269 dhe 276 të KPPRK-së, sendet e sekuestruara me urdhrin ndalues përfundimtar të gjykatës të konfiskohen dhe të procedohen sipas procedurave të parapara ligjore, duke përfshirë edhe konfiskimin e shumës prej 3390€ e krijuar si rezultat i kryerjes së veprës penale”, thuhet tutje në komunikatë.