Aktakuzë ndaj shtatë personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare

18 dhjetor 2019 | 15:49

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër shtatë personave me inicialet R.M., J.K., J. Sh., B.K., I.V., V.M., dhe Q.K., për veprat penale, “veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike”, “falsifikimi i dokumentit zyrtar”, dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I pandehuri J.K., më 16.11.2018, në Malishevë, në cilësinë e kryetarit të komisionit dhe dy të pandehurit J. Sh., dhe B.K., në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e punimeve në projektin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Balincë, në dokumentin zyrtar-Raportin e pranimit teknik, kanë shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se është përmbushur kontrata, me operatorin ekonomik N.T.“ Flamuri”, në Malishevë dhe i plotëson kushtet për përdorim, ku vlera totale ka qenë 9 870 euro edhe pse të njëjtët nuk i kanë kryer punët sipas kritereve të kërkuara me kontratë.

I pandehuri I.V., në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe e pandehura V.M., në cilësinë e menaxherit të projektit të kanalizimi në fshatin Ballincë, në dokumentin zyrtar, kanë shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se pas daljes në terren, janë realizuar punimet në bazë të projektit të kontratës, duke rekomanduar që t’i bëhet pagesa për realizimin e këtyre punimeve, edhe pse punimet nuk ishin kryer sipas kushteve të kërkuara në kontratë.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit J.K., J. Sh., B.K., I.V., dhe V.M., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

I pandehuri R.M., gjatë muajit tetor 2018 në Malishevë, në cilësinë e personit përgjegjës të operatorit ekonomik N.T. “Flamuri”, në Malishevë, me dashje ka shkelur ligjin e afarizmit duke vepruar në kundërshtim me standardet e rregullta të afarizmit, ku pasi ka fituar kontratën për kryerjen e punimeve të kanalizimit në fshatin Balincë, nuk i ka përmbushur kushtet e kërkuara sipas kontratës, kështu duke i shkaktuar kontraktuesit, komunës së Malishevës, dëm material në vlerë prej 9.870,18 euro.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale “Veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike”.

I pandehuri Q.K., më 12.02.2018, në cilësinë e personit zyrtar, në drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Malishevës, ka keqpërdorur pozitën e tij me qëllim që të sjell dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, për vete dhe të tjerët, bën përmasën edhe parallogaritë për shpuarje horizontale të rrugës për kalimin e gypit të kanalizimit në gjatësi 55 metra, në vlerë prej 3 500 euro, edhe pse në vendin e njëjtë ka ekzistuar e njëjta shpuarje horizontale, duke i shkaktuar autoritetit kontraktues- Komunës së Malishevës dëm material rreth 3 500 euro.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokurori rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, që të pandehurit R.M., J.K., J. Sh., B.K., I.V., V.M., dhe Q.K., të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes i Republikës së…