Aktakuzë ndaj tri të pandehurave për sulmin ndaj të moshuarës në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar të enjten se ka ngritur aktakuzë ndaj tri të pandehurave me inicialet A.P., A.R., dhe R.K., të dyshuara për sulmin ndaj një të moshuare në strehimoren “Orenda” në Pejë.
Sipas aktakuzës, tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, e cila ishte e vendosur në ketë strehimore.
“Në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale, e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale “Sulmi”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.
“Gjithashtu në departamentin e krimeve të rënda në këtë prokurori janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për procesin e strehimores për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit”, është thënë në këtë njoftim.