Aktakuzë për mashtrim kundër dhjetë personave

16 gusht 2022 | 14:34

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PRSK) ka ngritur aktakuzë kundër dhjetë personave të dyshuar për mashtrimin nga Gjermania të disa shtetasve të Kosovës, ka njoftuar sot prokuroria. Dhjetë të akuzuarit, me iniciale A. K., F. G., K. B., H. K., E. Z., A. S., Q. K., H. B., L. B dhe L.B., dyshohen se nga Gjermania kishin mashtruar financiarisht disa shtetas të Kosovës, kryesisht të moshave të shtyra, duke u prezantuar rrejshëm dhe duke iu thënë se kanë fituar shuma të majme në lotari.

“[…] Ashtu që i kanë nxitur që të dërgojnë të holla përmes bashkëpunëtorëve të tyre në Gjermani apo përmes unioneve financiare si: Moneygram, Western Union, Capital-Ria, Vllesa-Ria, në emra të ndryshëm në Kosovë, apo të blejnë kuponët e Amazon-it dhe t’u tregojnë kodet e tyre të cilët pastaj të pandehurit i kanë shfrytëzuar për blerje personale online, kështu që të pandehurit A. K., K. B., E. Z., A. S., F. G., H. K., Q. K dhe H. B., në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në vazhdim’”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Po ashtu, një nga pjesëtarët e grupit të të akuzuarve, L. B.., dyshohet se kishte vazhduar t’i mashtronte financiarisht disa shtetas në Kosovë, ndaras nga grupi i nëntë të tjerëve. “Ndërkaq, i pandehuri L. B. për një kohë të pavërtetuar ka marrë pjesë në veprimtaritë kundërligjore të përshkruara në diapozitivin e parë me të pandehurin A. K. gjatë vitit 2018/2019, ka filluar të punojë ndaras, në atë mënyrë që me të pandehurin L. B. i kanë kontaktuar viktimat në Gjermani përmes telefonit, e pastaj me ndihmën e bashkëpunëtoreve të tyre C. B., F. H., A. D. si dhe me persona të tjerë të paidentifikuar kanë marrë të holla prej viktimave, si E.B.F”, ka njoftuar PRSK-ja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori Kastriot Imeri ka refuzuar milionat e skuadrave të njohura…