Aktakuzë për posedim dhe shitje të narkotikëve
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.Sh., më 04.11.2021, rreth orës 19:30 në Prizren, pa autorizim posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substancë psikotrope apo substanca analoge në atë mënyrë që, pas zbatimit të urdhër-kontrollit nga Policia e Kosovës në shtëpinë e tij, në Prizren, arrijnë të gjejnë dëshmitë si në vijim: Shtatëmbëdhjetë qese të vogla plastike të cilat dyshohet se përmbajnë substancë narkotike të llojit kokainë, gjithsej me peshë prej 10.8 gram; Një peshore e vogël digjitale me mbishkrim“Constant 14192-616C’’; Para të gatshme 2×5 euro; 1×10 euro dhe një fishek i pistoletës, të cilat dëshmi janë sekuestruar nga ana e policisë.
Në këtë mënyrë, i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge“ nga neni 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.