Aktakuzë për veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër A.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit” nga neni 215 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.M., me datë 06.10.2019 rreth orës 13:20 minuta në Mamushë në vendvotimin 3201A në shkollën fillore “Anadolu” cenon fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve për deputet të Parlamentit të Kosovës, në atë mënyrë që pasi voton fletëvotimin përmes telefonit celular “Samsung Galaxy J3” e fotografon dhe pastaj e poston në rrjetin social “Facebook” .
“Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri A.M., ka përmbushur elementet e veprës penale ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’ sipas KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë”, është bërë me dije në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
/Epoka e re/