Aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë

18 dhjetor 2024 | 12:56

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: H.L, Sh.L dhe A.L., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 173, të pandehurit I.L, dhe A.L., kanë kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, të pandehurit H.L, I.L, H.L, Sh.L dhe Z.L., kanë kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, dhe H.L., Sh.L., I.L., kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, me datë 22.05.2024 rreth orës 19:15 minuta në fshatin Krajk- Komuna e Prizrenit, në afërsi të tyrbes së fshatit, të pandehurit H.L., Sh.L., dhe A.L., me dashje tentojnë ta privojnë nga jeta të dëmtuarin M.Q., po ashtu me dashje vënë rrezik jetën e dëmtuarave, Gj.B., dhe S.Q., si pasagjere në automjet, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari M.Q., ishte duke e drejtuar automjetin e tij, e që ishte duke udhëtuar në drejtim të Prizrenit, i pandehuri A.L., me automjetin e tij, iu del përpara duke ia prerë rrugën, dhe nga automjeti i tij, dalin të pandehurit H.L., A.L., Sh.L., dhe Z.L., i pandehuri A.L., me një shufër metalike në dorë niset në drejtim të automjetit të të dëmtuarit, me ç’ rast e godet me shufër metalike xhamin e përparmë të automjetit duke e thyer, në momentin kur i dëmtuari M.Q., e hap derën për të dalë jashtë, i pandehuri Sh.L. i pajisur me një pistoletë të tipit “Crvena Zastava 99, dhe i pandehuri H.L,. i pajisur me një pistoletë të tipit “Zastava M83/98”, shtënë nga një largësi prej 4-5 metra në drejtimin e të dëmtuarit M.Q., duke e goditur të njëjtin në të dy këmbët, me ç’rast i kanë shkaktuar dy plagë hyrëse – tej shkuese, ndërsa të dëmtuarave Gj.B., dhe S.Q., seriozisht me dashje u vënë në rrezik jetën, i dëmtuari M.Q., me shpejtësi largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të Prizrenit.

Ndërkohë, afërsi të tyrbes së fshatit të pandehurit I.L., e A.L., të pajisur me një pistoletë në dorë i afrohen të dëmtuarit B.Q., i cili ishte duke qëndruar në afërsi të automjetit të tij, me ç’ rast përdorin forcë ndaj tij duke e goditur të njëjtin me pjesën e topitur të pistoletës.

Pastaj, të pandehurit, H.L., I.L., H.L., Sh.L., dhe Z.L., pas konfliktit në fshatin Krajk, nga aty i ndjekin me automjete të dëmtuarit M.Q., dhe B.Q., të cilët në automjete ishin me anëtarët e familjeve të tyre, e që ishin duke udhëtuar në drejtim të Prizrenit, në momentin kur vërejnë se të dëmtuarit janë ndalur tek pompa e benzinës “O…… OIL” zbresin nga automjetet e tyre, dhe i sulmojnë me mjete të forta dhe me armë zjarri, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore me dëmtim të përkohshëm të shëndetit, lëndime këto të konstatuara në akt ekspertimin mjekoligjor në bazë të dokumenteve të çështjes të datës 06.09.2024 dhe plotësimi i mendimit të ekspertimit mjekoligjor datë 19.11.2024 punuar nga eksperti i mjekësisë ligjore.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar propozim-vendimi që…