Aktgjykimi i Kushtetueses, politik dhe i shkruar nga ndërkombëtarët

11 janar 2021 | 10:45

Analisti politik Behxhet Shala e ka kritikuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i cili disa politikanëve ua ndalon të garojnë për deputet në zgjedhjet e reja parlamentare më 14 shkurt.

Ai ka thënë se ky aktgjykim është politik dhe i shkruar nga ndërkombëtarët.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Shala ka deklaruar se kjo është bërë për të dërguar porosi te disa politikanë.

“Aktgjykimi i Kushtetueses, për mendimin tim, është politik dhe i shkruar nga ndërkombëtarët. Pra, ndërkombëtarët e kanë shkruar këtë vendim në emër të Gjykatës Kushtetuese. Për mua ky vendim është politik dhe i paarsyeshëm. Për shkak të votës së z. Arifi është dashur që procesi të rikthehet në pikën zero e jo ta dërgojë vendin në zgjedhje, sepse Kushtetuesja nuk ka mandat ta çojë vendin në zgjedhje”, ka thënë Shala.

Sipas tij, është e padrejtë që Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit dhe Faton Topallit të mos u lejohet të kandidojnë për deputetë. Ai ka thënë se kjo paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.

“Me këtë vendim ndërkombëtarët dëshirojnë t’u dërgojnë porosi disa personave të cilët ende nuk po shihen shumë të pranueshëm për ta. Për mua nuk ka asnjë dyshim se ky vendim është shkruar nga ndërkombëtarët”, është shprehur Shala.

Në këtë intervistë Shala ka folur edhe për rezultatin që mund ta marrin subjektet politike më 14 shkurt.

Ai ka thënë se fryma ekziston që Lëvizja Vetëvendosje të fitojë në këto zgjedhje por, sipas tij, ky subjekt politik nuk do të fitojë aq sa po mendon lidershipi i saj.

Shala ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja nuk mund të bien nën 20 deputetë. “Nuk besoj në asnjë variant se PDK-ja dhe LDK-ja mund të bien nën 20 deputetë. Pra, jam i sigurt se nëse LDK-ja nuk e bën asnjë ditë fushatë në zgjedhje, vetëm në sajë të strukturës së saj, ajo nuk bie nën 20 deputetë, sikurse që as PDK-ja që nuk mund të bie nën 20-22 deputetë. Pra, në variantin më të keq, LDK-ja dhe PDK-ja nuk mund të bien nën 45 deputetë”, ka thënë Shala.

 “Epoka e re”: Z. Shala, pas publikimit të Aktgjykimit të Kushtetueses, partitë politike jozyrtarisht kanë filluar fushatën zgjedhore. Si i keni parë këto veprime të tyre?
Shala: Partitë politike kanë qenë në fushatë edhe para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, sepse e kanë pasur të qartë se kjo qeveri nuk mund të zgjasë shumë për shkak të zgjedhjes së presidentit. Ndërsa aktgjykimi i Kushtetueses, për mendimin tim, është politik dhe i shkruar nga ndërkombëtarët. Pra, ndërkombëtarët e kanë shkruar këtë vendim në emër të Gjykatës Kushtetuese. Për mua ky vendim është politik dhe i paarsyeshëm. Për shkak të votës së z. Arifi është dashur që procesi të rikthehet në pikën zero e jo ta dërgojë vendin në zgjedhje, sepse Kushtetuesja nuk ka mandat ta çojë vendin në zgjedhje. Është e padrejtë që Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit dhe Faton Topallit t’u ndalohet kandidimi për deputetë. Është një vendim politik, i cili, në thelb, i shkel të drejtat e njeriut për të votuar dhe për të qenë i votuar.

“Epoka e re”: Pse mendoni se këtë vendim e kanë marrë ndërkombëtarët?
Shala: Me këtë vendim ndërkombëtarët dëshirojnë t’u dërgojnë porosi disa personave të cilët ende nuk po shihen shumë të pranueshëm për ta. Për mua nuk ka asnjë dyshim se ky vendim është shkruar nga ndërkombëtarët. Pra, ky vendim u dërgon disa porosi të gjithë politikanëve dhe si i tillë vendimi në të ardhmen mund të ndikojë në profilizimin e skenës politike të Kosovës. Porositë e këtij vendimi janë se disa politikanë ende duhet të zbuten dhe të bëhen të pranueshëm nga ndërkombëtarët.

 “Epoka e re”: Deri më tani ende nuk kemi ndonjë zyrtarizim të koalicioneve parazgjedhore. Prisni ndonjë befasi në këtë drejtim. Është i mundëm që krahu i luftës të bashkohet sërish?
Shala: Tani nuk kemi krah të luftës e të paqes, sepse gjatë proceseve disa parti janë profilizuar vetvetiu, e disa parti i ka profilizuar zhvillimi i ngjarjeve. E dini se më parë subjektet e mëdha politike kanë bërë përpjekje që rreth vetes të mbledhin sa më shumë subjekte politike, ndërsa tani kanë ndryshuar gjërat. Tani kemi një situatë që AKR-ja të jetë pjesë e listës së LDK-së dhe nuk do të kemi ndonjë koalicion si më herët. Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do të pranojë që të ketë ndonjë koalicion parazgjedhor, sikurse edhe PDK-ja që deri më tani ka refuzuar të bëjë ndonjë koalicion me partitë e vogla por, thjesht, i ka ofruar mundësinë që të garojë në kuadër të listës së saj. Sa kam parë, edhe AAK-ja ka deklaruar se do të shkojë e vetme në zgjedhje. Kjo po ndodh sepse në koalicionet parazgjedhore të partive të mëdha me të vogla, po humbin partitë e mëdha dhe po fitojnë ato të voglat, të cilat po të hynin të vetme në zgjedhje nuk do ta kalonin pragun zgjedhor. Deri më tani si enigmë ka mbetur Nisma, e cila po llogarit se mund t’i fitojë rreth 55 mijë vota që do t’i mjaftonin ta kalojë pragun. Por, unë ende i kam dilemat e mia nëse kjo parti do t’i marrë ato vota. Pra, deri më tani është një gatishmëri e partive të mëdha që të mos hyjnë në koalicione me partitë e vogla.

 “Epoka e re”: Tri partitë e mëdha pretendojnë se do të jenë të parat në këto zgjedhje. Kush mendoni se do t’i fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit?
Shala: Tani është një frymë e cila e nxjerr Lëvizjen Vetëvendosje fituese të zgjedhjeve. Kështu mendoj edhe unë. Por, kjo nuk është prognoza ime përfundimtare, sepse unë do të dal, siç kam bërë deri më tani me prognozën time në gazetën “Epoka e re” para zgjedhjeve. Do ta jap mendimin tim se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Nuk e shoh LV-në në ato shifrat që po i thotë se do t’i fitojë mbi 60 për qind. Mendoj se ato shifra janë joserioze, sepse nuk mund të arrihen. Nuk besoj në asnjë variant se PDK-ja dhe LDK-ja mund të bien nën 20 deputetë. Pra, jam i sigurt se nëse LDK-ja nuk e bën asnjë ditë fushatë në zgjedhje, vetëm në sajë të strukturës së saj, ajo nuk bie nën 20 deputetë, sikurse që as PDK-ja që nuk mund të bie nën 20-22 deputetë. Pra, në variantin më të keq LDK-ja dhe PDK-ja nuk mund të bien nën 45 deputetë. Kurse për AAK-në jam i sigurt se do ta kalojë pragun dhe pretendimet se kjo parti nuk mund ta kalojë pragun, për mendimin tim, nuk janë serioze. Besoj se në variantin më të keq, AAK-ja nuk do të ketë më pak se 12 deputetë, ndoshta mund të ketë më shumë, por jo më pak. Kjo parti pretendon se pas zgjedhjeve do të jetë një përcaktuese për formimin e koalicionit qeverisës.

 “Epoka e re”: Në këtë parafushatë zgjedhore partitë vetëm kanë filluar të bëjnë pretime të ndryshme. Besoni se do të arrijnë t’i përmbushin ato premtime?
Shala: Jam i bindur se asnjë parti politike nuk do të mund t’i përmbushë premtimet që i jep gjatë fushatës, sepse pandemia e ka shkaktuar një krizë të thellë ekonomike në Kosovë. Gjithashtu, pengesa kryesore në mospërmbushjen e premtimeve do të jenë bisedimet me Serbinë.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujit “Hidromorava” njofton se është ndërprerë furnizimi…