Aktgjykimi që vazhdon të plagosë demokracinë e Kosovës
Shkruan: Ilir Fetahu
Aktgjykimi për Rastin Nr. K0103/14 është oguri më i shëmtuar i demokracisë së Kosovës prej ditës që është shpallur deri më sot.
Nëse i hedh një sy rutinor këtij aktgjykimi, automatikisht bie në sy tendenca për manipulim e hartuesit, ku është munduar të hyjë nëpër “deriçkat” e kushtetutave të vendeve të ndryshme për të justifikuar qëllimin përfundimtar.
Pra hartuesi duhej interpretuar vlerësimin e përputhshmërisë së neneve 84.(14) dhe 95 të kushtetutës së Kosovës e jo të ligjeronte për sistemet politike të shteteve të ndryshme.
Manipulimi esencial i këtij aktgjykimi është te nocioni KOALICION. Neni 3 (Përkufizimet) i Ligjit 03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme e përcakton se “KOALICIONI” do të thotë bashkimi i dy ose më shumë subjekteve politike.
Përkufizimet në ligj përcaktojnë domethënien, konceptin, tiparet tipike të një nocioni në atë ligj. Pra në rastin konkret ligjvënësi nuk e ka kufizuar KOALICIONIN në parazgjedhor siç ka pretenduar hartuesi i këtij aktgjykimi në mënyrë perfide ta kamuflojë me nenin 18 të Ligjit 03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme i cili flet per pamundësinë e terheqjës se ndonjerit subjektit politik nga koalicioni prej momentit te qertifikimit si subjekt politik deri ne qertifikimin e rezultateve te zgjedhjeve.
Neni 84 paragrafi 14 përcakton se; Presidenti cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit;
Pra kushtetuta e Republikes së Kosovës e detyron Presidentin që mandatarin ta caktojë nga partia ose koalicioni që e përbën shumicen e kuvendit.
Deri sot asnjëri nuk është bërë Kryeministër pa bërë KOALICION paszgjedhor duke marrë parasyshë që nuk i ka patur shumicën në kuvend. Nëse e sheh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë nen është i mjerë, duke i nda në copa fjalitë që me çdo kusht Mandatari në atë kohë të jetë nga PDK, është humbje kohe të sqarohet ndryshe.
Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]
5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë. (koment; Kushtetuta e Kosovës e ka përcaktu saktë se cila është shumica në nenin 100 paragrafi 4. Nëse e shikoni sqarimin për shumicen sipas aktgjykimit të gjykatës kushtetuese është kjo kakofoni; Sa i përket pikës (c) që përbën shumicën në Kuvend, Gjykata vëren se, në mënyrë që votuesit të hedhin votat e tyre, partia politike ose koalicioni, i cili, sipas Iigjit të lartpërmendur, është regjistruar si subjekt zgjedhor, ka emrin e vet ne fletëvotim, ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka kaluar pragun, ka të drejtë sipas nenit 84 (14) të Kushtetutës, të propozojë personin për mandatar për Kryeministër.
Neni 100 [Mocioni i Votëbesimit]
4. Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
6. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje. (koment; Qeveria aktuale e Kosovës në bazë të kushtetutës konsiderohet në dorëheqje).
Në vitin 2014 me aktgjykimin e lartë cekur isha i bindur thellësisht se demokracia është plagosur rëndë. Mendimet e mia i kam paraqitur në media atë kohë për disa muaj, disa herë në javë, atëbotë të njëjtin mendim kishin Albini dhe Vjosa por ndryshe mendonte Hashimi e PDK. Sot, për çudi Albini mendon si Hashimi atëherë, Vjosa nuk po shprehet, ndërsa unë eci pa u lakuar duke besuar thellë në të drejtën.