Aktivistet e PSD-së ia ndërprenë fjalën kryeministrit Hoti
Kryeministrit Avdullah Hoti i është ndërprerë fjala derisa po fliste për dialogun Kosovë-Serbi në një aktivitet të organizuar nga KDI-ja.
Aktivistet e PSD-së, Natyra Kuçi dhe Teutë Rrusta kanë hedhur fletushka dhe me anë të bilbilave ia kanë ndërprerë fjalën të parit të qeverisë, i cili i ka dëgjuar ato deri në fund.
Ato i janë drejtuar Hotit se nuk po ndërmerr asgjë për të luftuar dhunën ndaj grave.
“As edhe një fjalë të vetme për dhunën ndaj grave nuk po e thoni. Gratë po rrezikohen në shtëpitë e tyre nga burrat. Çdo ditë po vritet nga një grua”, ka thënë Teutë Rrusta.
Më pas, Natyra Kuçi e ka pyetur kryeministrin pse organizon tryeza për dialogun me Serbinë, dhe nuk ndërmerr asnjë veprim kur një burrë rrah apo vret një grua.
“Pse dialogu ma i rëndësishëm se jeta e grave”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa, kryeministri Hoti u ka thënë se nuk mund të gjejnë një person tjetër, si ai, që mbron me më vendosmëri të drejtat e grave.