Me aktivitete vetëdijësuese shënohet Dita Botërore e Ujit
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me aktivitete të ndryshme nën moton “Natyra për Ujin” ka shënuar 22 marsin – Ditën Botërore të ujit.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite u bë shpërndarja e materialeve promovuese në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në sheshin qendror të Gjilanit.
Po ashtu u zhvilluan edhe aktivitete vetëdijësuese me nxënës të shkollave fillore në Gjilan si dhe u mbajt tryeza me temën “Natyra për Ujin” në kontekst të Planeve Zhvillimore Komunale, ku morën pjesë zyrtarë të komunës së Gjilanit, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava” si dhe njohës të kësaj fushe.
Në këtë tryezë në emër të MMPH-së mori pjesë edhe zëvendësministri i MMPH-së, Bashkim Musliu, i cili ka folur për rëndësinë e kësaj dite si dhe për planet e ministrisë në lidhje me ujin.
“MMPH-ja në kontekst të zhvillimit të qëndrueshëm të resurseve ujore është në vazhdën e hartimit dhe miratimit të politikave të reja të aspektit organizativ dhe zhvillimor. Si përfundim kemi Strategjinë Shtetërore të Ujërave dhe Rregullores së Organizimit dhe Sistematizimit të Vendeve të Punës në Ministri, e cila ka për qëllim për të rritur efikasitetin e zbatimit të këtyre politikave në favor të ruajtjes dhe kujdesit ndaj burimeve dhe rrjedhave ujore”, ka thënë Musliu.