Aktivitetet sportive zhvillohen pa shikues
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se, me vendim të Qeverisë së Kosovës, të gjitha aktivitetet sportive mund të zhvillohen, por pa praninë e shikuesve. Ndërsa Federata e Hendbollit e Kosovës ka kërkuar nga Federata Evropiane e Hendbollit (EHV) të shtyhen ndeshjet kualifikuese në mes të Kosovës dhe Bjellorusisë në konkurrencën e vashave.
Përhapja e shpejtë në Evropë e COVID-19, i njohur si Corona Virus, ka bërë që institucionet e Kosovës të marrë masa parandaluese në funksion të mbrojtjes nga ky virus. Këto masa janë marrë edhe në sport, ku aktivitetet sportive do të zhvillohen, por pa praninë e shikuesve. “Këto masa të cilat janë ndërmarrë nga MKRS-ja janë në kuadër të pikës 5 të vendimit të Qeverisë së Kosovës. Konkretisht, kjo masë nënvizon se aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se ndeshjet e futbollit në ligën e seniorëve do të zhvillohen pa praninë e shikuesve, kurse ligat e juniorëve dhe grupmoshave të reja pezullohen përkohësisht. “Të gjitha ndeshjet e futbollit në Kosovë në kategorinë e seniorëve do të zhvillohen pa praninë e publikut deri më 27 mars 2020, derisa ligat e juniorëve dhe grupmoshave të reja pezullohen përkohësisht (deri në një vendim të ri)”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Në stadiume, gjatë zhvillimit të ndeshjeve, do të jenë të pranishëm vetëm stafet e skuadrave, zyrtarët e FFK-së, zyrtarët e klubeve, zyrtarët policorë dhe përfaqësuesit e mediave. Klubet organizatore të ndeshjeve udhëzohen që ta bëjnë vendosjen e dezinfektuesve të duarve në zhveshtore. Po ashtu, si masë parandalimi ndaj koronavirusit, ashtu sikurse në vendet e tjera evropiane, rekomandohet që futbollistët dhe stafet e skuadrave të mos e bëjnë përshëndetjen e zakonshme të dhënies së duarve në fillim dhe në fund të ndeshjes”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar se ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura, pa praninë e publikut. “Qëndrimi në palestër, krahas lojtarëve/eve, shtabeve teknike, u lejohet edhe zyrtarëve të klubeve, ku numri i tyre nuk guxon të jetë më i madh se 15 për secilin klub. Po ashtu, të pranishëm nga zyrtarët e FBK-së në palestra, duke përfshirë këtu gjyqtarët e vëzhguesin, numri i tyre në total nuk bën të jetë më i madh se 10 në një ndeshje basketbolli. Të pranishëm në palestër duhet të jenë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa në ndeshjet e Superligës së Kosovës edhe pjesëtarët e sigurimit privat. Mediat që dëshirojnë t’i përcjellin ndeshjet duhet që së pari të marrin leje nga FBK-ja”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës menjëherë pas vendimit të qeverisë ka njoftuar se ndeshjet e hendbollit në do të zhvillohen pa praninë e shikuesve në palestra. Po ashtu, FHK-ja ka kërkuar nga Federata Evropiane e Hendbollit (EHV) të shtyhen ndeshjet kualifikuese mes Kosovës dhe Bjellorusisë në konkurrencën e vashave për shkak të koronavirusit. Ndeshja në mes të Kosovës dhe Bjellorusisë ishte planifikuar fillimisht të luhet më 25 mars në Prishtinë, kurse ndeshja tjetër më 29 mars në Minsk. “FHK-ja është në komunikim intensiv me EHF-në dhe pritet që të aprovohet kërkesa jonë. Nëse kërkesa aprovohet, ndeshjet luhen në javën e parë të qershorit”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Federata e Kosovës.
/Epoka e re/