Aktivizimi i një mjeti shpërthyes vret 7 fëmijë në Afganistan
Një zyrtar afgan ka njoftuar se 7 fëmijë kanë vdekur dhe 8 të tjerë janë plagosur pas aktivizimit të një mine në lindje të vendit.
Incidenti ka ndodhur në rajonin Lagham.
Zëdhënësi rajonal, Assadullah Dawlatzai, ka bërë me dije se autoritetet po hetojnë mënyrën sesi fëmijët kanë rënë në kontakt me mjetin shpërthyes, raporton “Rel”.
Ai ka thënë se katër nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë.
Shërbimi i Kombeve të Bashkuara për Veprimin ndaj Minave, ka thënë në vitin 2017 se rreth 150 njerëz çdo muaj janë vrarë ose plagosur në Afganistan nga minat dhe të ashtuquajturat mbetje eksploduese të luftës.
Ndërsa shumë mina tokësore kanë mbetur nga pushtimi sovjetik në vitet 1980 dhe lufta civile në vitet 1990, numri i viktimave është shtuar edhe për shkak të aktivizimit të bombave të përdorura nga talibanët.