Aktivizimi i sistemit mbrojtës për vreshtat i nevojshëm për Rahovecin
Krijimi i Zonës Ekonomike në Komunën e Rahovecit është lajm i mirë për bizneset e kësaj komune, për zhvillimin ekonomik, por edhe për të punësuarit.
Kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që i ka bërë të mërkurën disa fshatrave të Komunës së Rahovecit.
I shoqëruar nga kryetari i komunës, Smajl Latifi, kryeministri Haradinaj, ka vizituar Zonën Ekonomike mbi Opterushë, e cila me vendim të Qeverisë është shpallur zonë e lirë ekonomike, me qëllim që të ndihmoj në zhvillimin ekonomik të kësaj ane përmes ofrimit të lehtësirave për bizneset të cilat veprimtarinë e tyre do ta zhvillojnë në këtë zonë të lirë ekonomike dhe me mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës.
Gjithashtu Haradinaj, ka vizituar edhe palestrën e sportit në Rahovec për të parë nga afër punimet të cilat janë në përfundim e sipër, për ta vazhduar vizitën te vreshtat e dëmtuara nga breshëri, në fshatin Fortesë-Pataqan i Poshtëm si dhe dëmet që i janë shkaktuar nga breshëri fermerit Ismajl Morina nga fshati Gexhë, në rreth 10 hektarë tokë të mbjellura, derisa në fund të qëndrimit të tij në Rahovec, kryeministri Haradinaj vizitoi përroin në mes fshatrave Krushë e Madhe-Celinë.
“Qeveria e vendit do të përshpejtojë dhënien e subvencioneve që të paktën t’iu dalë në ndihmë fermerëve të kësaj ane dhe banorët e Rahovecit do ta kenë përkrahjen e qeverisë për realizimin e të gjitha projekteve me rëndësi për qytetarët e kësaj komune”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se është e dhimbshme për gjithë këto dëme të shkaktuara nga breshëri dhe vërshimet dhe se të gjithë duhet të angazhohemi për t’i trajtuar këto probleme dhe këto sfida.
Më tutje, kryeministri Haradinaj, ka thënë se nga kryetari Latifi ka pranuar një raport i cili përmban të dhënat për dëmet e shkaktuara, që kap shifrën e miliona eurove.
“Do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë e mbrojtjes nga breshëri, sepse është vështirë që t’iu dalim përballë dëmeve financiare nëse situata të ngjashme përsëriten nga viti në vit”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetari Smajl Latifi, ka falënderuar kryeministrin dhe Qeverinë për përkrahjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Rahovecit për krijimin e Zonës Ekonomike, pas 17 vjetësh kërkesave të vazhdueshme.
“Kërkojmë ndihmën e qeverisë për trajtimin e veçantë të përroit problematik mes fshatrave Krushë e Madhe dhe Celinë, i cili po kërcënon jetën e banorëve dhe të amvisërisë në këto fshatra”, ka thënë Latifi.
/Epoka e re/